May 25, 2022

KleaBe

ALL HERE FOR YOU

Kamberi: Prokuroria Speciale në Nish ka propozuar ngritje të aktakuzës për mua – Sinjali

2 min read

Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka njoftuar se Prokuroria Speciale në Nish ka propozuar që të ngritet akuzë kundër tij për “tejkalim të apropriacioneve të buxhetit”, raporton Gazeta Sinjali.

Këtë gjë Kamberi e vlerëson si shantazh para zgjedhjeve parlamentare në Serbi, megjithatë shprehet i bindur se do të dalë i pafajshëm.

“Kjo tregon se në fakt këtu nuk po trajtohet puna ime si kryetar i Bujanocit, por si opozitar në Kuvendin e Serbisë. Këtë hall ka regjimi i Vuçiqit. Nuk e ka hall korrupsionin. Madje halli i tij është pse s’jam i korruptuar. Duke qenë autoritar, ai e ka hall kundërshtimin tim. Pamundësinë që e ka parë këto vite sa jam deputet për të më heshtur dhe nënshtruar. Sidoqoftë. Nuk më befasojnë. E prisja. Do të ishte e palogjikshme që ky pushtet autoritar të ndalet me kaq. Por kot e keni”, shkroi ndër të tjera ai në Facebook.

Ai thotë se bëhet fjalë për realizimin e projekteve infrastrukturore në territorin e Komunës së Bujanocit, të përcaktuara me vendimin për buxhetin e kësaj komune më 2018 dhe 2019.

Sipas Kamberit, Prokuroria ka propozuar që këtë aktakuzë ta bazojë në faktin se në momentin e nënshkrimit të kontratës për realizimin e këtyre projekteve, në buxhetin e Komunës, nuk ka pasur mjaftueshëm mjete sa ka qenë vlera kontraktuese e këtyre projekteve.

“Në fakt, edhe më 2018 edhe më 2019, për projektet në fjalë, është bërë pagesa për punët e kryera vetëm në lartësinë e mjeteve të cilat kanë qenë të planifikuara me buxhet. As edhe një cent i vetëm më tepër. Por, Prokuroria paska zbuluar se me marrjen e obligimeve në vlerë më të madhe se mjetet e planifikuara ‘paskam rënduar buxhetin e Komunës’”, shkroi tutje ai.

Sipas tij, po qe se do të nënshkruanin kontrata e planifikonin punë vetëm me mjetet vjetore që i kanë në dispozicion, asnjë prej Komunave të Luginës së Preshevës (Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë), ashtu edhe asnjë prej Komunave me të ardhura të përafërta nuk do të mund të realizonin kurrë asnjë projekt madhor në të mirë të qytetarëve./GazetaSinjali/

Gazeta Sinjali